Secondary Adv

Gati 4.7 mld euro, huaja e dhënë në vend për pasuri të paluajtshme: 52 për qind e totalit të kredisë

Sistemi bankar ka krijuar një ekspozim të lartë nga kredia për pasuri të paluajtshme si për bizneset ashtu dhe për individët.


Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në raportin e Mbikëqyrjes Vjetore të Sistemit Bankar 2025, rezulton se “huaja për blerje banesash” për individët zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë me 26.8%, pasuar nga “huaja për pasuri të paluajtshme” nga biznesi me 24.3%. Të dyja së bashku përbënë rreth 52% të stokut të kredisë që është dhënë për sistemin bankar.


Në vlerë, stoku i kredisë për prona dhe pasuri të paluajtshme është 243.6 miliardë lekë për individët dhe 216 miliardë lekë për bizneset, me një total prej 470 miliardë lekësh, ose gati 4.7 miliardë euro.


Kjo varësi e lartë e sistemit bankar ndaj huasë për pasuri të paluajtshme e ekspozon ata dukshëm ndaj çdo zhvillimi në tregun e pronave.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha dje në raportimin në Kuvend se Banka e ka trajtuar rritjen e kredisë për pasuri të paluajtshme si burim të mundshëm rreziku për stabilitetin financiar dhe ka forcuar mbledhjen dhe analizën e të dhënave për kreditë për banesa, prona tregtare, ndërtues dhe projekte imobiliare.


Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë e ka trajtuar rritjen e kredisë për pasuri të paluajtshme si burim të mundshëm rreziku për stabilitetin financiar. “Kur çmimet e pronave rriten shpejt, bankat dhe huamarrësit mund të bëhen më pak të kujdesshëm; kur cikli kthehet, humbjet shfaqen shpejt. Për këtë arsye, Banka ka forcuar mbledhjen dhe analizën e të dhënave për kreditë për banesa, prona tregtare, ndërtues dhe projekte imobiliare.


Në maj 2025, Banka e Shqipërisë miratoi kufij të sipërm për dy tregues kryesorë: madhësinë e kredisë në raport me vlerën e pronës dhe peshën e këstit mujor në raport me të ardhurat e huamarrësit. Me fjalë të thjeshta, bankat nuk mund të japin kredi shumë të larta krahasuar me vlerën e pronës dhe as të lejojnë që kësti mujor i kredisë të rëndojë tepër mbi të ardhurat e familjes. Kufijtë janë më të kujdesshëm për kreditë në valutë dhe për banesat që blihen për investim ose qira”.


Shqetësimi për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme është shtuar, pasi goditjet e SPAK kanë nxjerrë në pah faktin që një pjesë e tij po financohet nga aktivitete të jashtëligjshme, ku një ndër kompanitë, që iu konfiskuan llogaritë dhe disa prona ishte Nova Construction, që ishte deri në vitin 2025 më e madhja për ndërtimet rezidenciale.


Pavarësisht masave, kredia për pasuri të paluajtshme për individët pa një rritje të fortë në maj, e ndikuar dhe nga aktivizimi i procesit të rivlerësimit që rigjallëroi tregun e shitblerjes së pronave.


Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e rritjes totale të huasë së re në maj erdhi nga huaja për blerje banesash. Në maj, u dha 6.6 miliardë lekë hua për banesat për individët, me një rritje prej 54% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë (+2.3 miliardë lekë, nga 5.5 miliardë lekë që ishte shtesa e huasë në total) dhe 24% më shumë se në prill 2026. Ky është niveli më i lartë i huadhënies së re për kredi banesash në lekë, që nga dhjetori 2015, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat